TIRANE- Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle nis sot në Tiranë misionin për zgjidhjen e ngërçit shqiptar midis PD-së dhe PS-së. Komisioneri Fyle mbërriti mbrëmë në Tiranë për të nisur sot rreth orës 10:45 takimin e parë me kryeministrin Sali Berisha. Më pas, rreth orës 12:05 Fyle do të takojë kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ndërkohë që më herët ai do të takojë ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi dhe ambasadorin e OSBE-së, Eugen Uollfarth. Komisioneri Stefan Fyle ka ardhur në Tiranë për të rimarrë personalisht përgjegjësinë për të takuar dy drejtuesit e partive kryesore në vend e për t'i nxitur ata që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur kushtet që kërkohen nga BE për integrimin e Shqipërisë. Pas takimit me kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së Edi Rama, Stefan Fyle do takohet me presidentin Bujar Nishani. Ashtu siç është shprehur edhe në deklaratat publike më parë, Komisioneri Fyle mendon se Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tri reformat, në mënyrë që komisioni t'u paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.
Ndërkohë pak ditë para vizitës së lajmëruar në Tiranë, Fyle komentoi në profilin e tij në rrjetin social "Twitter" rreth kësaj çështjeje. "Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk zgjidhin çështje kritike si: mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes". Ndërsa në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europiane, Komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat, nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Nga ana e tij, edhe zëdhënësi Peter Stano ka sqaruar se, në vizitën e tij të hënën në kryeqytetin shqiptar do të përpiqet t'i bindë palët politike që të bien dakord për të votuar tri ligjet që i mundësojnë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Fyle në fakt e bëri të ditur këtë kur foli për vizitën në Tiranë, menjëherë pas konferencës për Ballkanin, që u zhvillua në Parlamentin Europian. Ai beson se bisedat e tij të drejtpërdrejta me politikanët shqiptarë do t'i japin një shtysë procesit të integrimit. Tetorin e kaluar, Komisioni u rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë, me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit, ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës, një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj, por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën, duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. Për shkak të kësaj përplasjeje, në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë, duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.