Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion ka përfunduar fazën e parë të analizës për të tre shtyllat për të cilat u ngrit në Maj të këtij viti. Për të ndarë me publikun rezultatet e 700 faqe analizë nga ekspertë vendas, të asistuar nga ndërkombëtarë, ishte menduar një takim me pjesëmarrje të gjerë.
Sipas kryetarit Fatmir Xhafa dhe kryeministrit Rama, pavarësisht akuzave mbi arsyet e fshehta të kësaj nisme në dokumentin e parë të prodhuar, në këtë fazë sigurojnë se nuk ka asnjë fjalë për drejtësinë.
Ndërsa ambasadori i BE, një nga shqetësimet që nuk është hera e parë që ndan që prej nisjes së Komisionit, sërish kërkoi paprekshmëri të Reformës në Drejtësi dhe organeve të reja të dala prej saj si dhe gjithëpërfshirje.
“Parimi udhëheqës duhet të jetë pakthyeshmëria e Reformës në Drejtësi. Shqipëria është angazhuar qartë të forcojë pavarësinë e magjistratëve dhe sistemi prokurorisë e gjyqësor për të konsoliduar llogaridhënien në të gjitha nivelet. Është thelbësore që ekuilibrat institucionalë ekzistues dhe ndarja e pushteteve të garantohen plotësisht”.
Kryeministri, në fjalimin e tij në pjesën më të madhe u përqendrua pikërisht tek këto dy shqetësime të artikuluara nga ambasadori. Sa i takon paprekshmërinë ai i kujtoi për të disatën herë se ishte PS e drejtuar prej tij që ideoi dhe miratoi me vendosmëri Reformën në Drejtësi dhe me të njëjtën forcë sipas tij do të garantojnë paprekshmërinë.
Dhe nëse, thotë Rama, në funksion të reformave integruese do duhet të preket ai thotë se do jenë partnerët që bashkë me ta do të ndërhyjnë.
Sa i takon gjithëpërfshirjes, kryeministri i cili shprehu gatishmërinë për të mirëpritur opozitën nëse do të ndryshojë qasje, të zerë vendet në Komisionin e Posaçëm, por jo për të qëndruar në pritje, derisa kjo të ndodhë, sepse sipas tij procesi i anëtarësimit që duhet të ndodhë me çdo kusht, për Ramën deri në 2030, nuk i lejon ata që të synojnë gjithëpërfshirjen me forca që ai i cilëson të pabashkueshme dhe me synime të ndryshme me ta, për Reformën në Drejtësi.