Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi lidhur me vendimin e Komisionit Hetimor për t’iu drejtuar sërish Venecias lidhur me shtimin e objektit të hetimit ndaj presidentit.

Sipas Presidencës këto veprime janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të Dvoranit, ndërkohë që vërteton se krimet e tij janë kryer në bashkëpunim.

POSTIMI I PLOTË

Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale.

Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.

Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.

Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës.

Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje.