Ka nisur nga puna komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit. Mbledhja e parë, po mbahet një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin për ngritjen e tij bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Komisioni Hetimor do të hetojë për shkeljet në Kushtetutë që ka bërë presidenti Ilir Meta. Kryetar i Komisionit do të jetë Alket Hyseni, ndërsa anëtarë janë edhe 3 deputetët opozitarë: Myslim Murrizi, Halil Jakimi dhe Arlind Çaçani. Alket Hyseni tha në fillim të seancës se kjo është një mbledhje konstituive teksa më pas u ndal tek qëllimi i ngritjes së këtij komisioni dhe detyrat.

“Objektivi përcaktohet nga vendimi i parlamentit për ngritjen e këtij komisioni, i iniciuar me kërkesën e deputetëve”, tha Hyseni. Deputetja e PS Klotilda Bushka u zgjodh sekretare e komisionit hetimor në unanimitet.

Anëtari i Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Spartak Braho, gjatë mbledhjes së parë të këtij komisioni, propozoi që asnjëri nga anëtarët të mos dalë e të prononcohet në media.

Braho tha që krahas të dhënave me shkrim, në lidhje me shkeljet e supozuara ndaj Presidentit, të ilustrohen edhe pamje filmike, në mënyrë që të bëhet më e thjeshtë për publikimin.

Ky komision pritet që gjatë një periudhe një mujore të shqyrtojë argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Metës. Sipas PS-së, Meta ka shkelur Kushtetutën në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Kujtojmë që ditën e djeshme Komisioni Hetimor u ngrit me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.