Ditën e sotme po mbahet mbledhja e rradhës e Komisionit Hetimor të posaçëm të ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kujtojmë se dje ishte afati i fundit i vendosur ndaj presidentit për t’u paraqitur në komision dhe për të shprehur pretendimet e tij në lidhje me akuzat që i bëhen.

Anëtarja e komisionit dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka ka thënë në hapjen e mbledhjes, se tashmë ka përfunduar procesi i mbledhjes së provave dhe do të shqyrtoheshin të gjitha shkeljet e bëra në provat që ishin paraqitur deri më tani.

“Jemi në fazën ku nuk kemi më nevojë për prova të reja. Provat janë administruar para Komisionit. Jemi një komision hetimor që po diskutojmë mbi shkeljet e bëra të Presidentit nga 49 deputetë që kanë firmosur këtë nismë. Objekti i hetimit është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga presidenti, gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore dhe në 25 prill, nëse janë kundër kushtetutës”, tha Bushka.

Mos prania e Metës në mbledhjen e komisionit gjatë ditës së djeshme, shkaktoi debate, ku u përmend edhe mundësia e sjelljes së presidentit me dhunë, por ky opinion nuk u votua si më i përshtatshmi.