TIRANË- Opozita ka kundërshtuar ashpër paketën fiskale të propozuar nga qeveria. Ministria e Financave ka propozuar heqjen e tarifës doganore 10 për qind për kafen e papjekur, uljen e akcizës për kafen e pjekur në 60 lekë për kg, 5-fishimin e gjobave për punëdhënësit që nuk deklarojnë punëtorët dhe lehtësimin nga taksat të Universiteteve që japin bursa. Për opozitën, kjo paketë fiskale nuk ndihmon biznesin, por favorizon segmente të caktuara për të mbajtur tregun 

“Kjo paketë nuk ka lidhje me qytetarin. Nuk ka lidhje as me shumicën ndërrmuese të biznesit që është ose shumë i vogël ose i mesëm. Këtu bëhet fjalë që të ruhet tregu në mënyrë të paligjshme”,- tha deputeti Erion Brace. 

Ndërsa për deputetin socialist Arben Ahmetaj,- “këto probleme janë minore, janë procedurale dhe nuk reflektojnë absolutisht krizën ekonomike, krizën buxhetore”.

Opozita ka kërkuar heqjen e taksës së biznesit të vogël, si një mënyrë për të nxitur këto bizneseve që sipas saj, janë diskriminuar nga qeveria. 

“Pretendoni që jeni pro biznesit, por i vetmi propozim që keni sjellë është që të hiqni një nga shtyllat e e sistemit, të hiqni taksën e biznesit të vogël dhe ta bëni sistemin jo funksional”,- theksoi Edmond Spaho, deputet i PD-së. 

Socialistët kanë kundërshtuar edhe 5-fishimin e gjobës për punëtorët e padeklaruar, duke akuzuar administratën për arbitraritet me biznesin. 

Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës paketën fiskale.