TIRANE, 21 shkurt 2013– Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka gjobitur dy ekipe të kategorisë superiore për trukim të ndeshjeve. Komisioni ka gjobitur me 1.5 milionë lekë Bylisin dhe Kastriotin pasi zbuloi se kishin fiksuar rezultatin e ndeshjeve.

Ndeshjet, rezultati i të cilave ishte fiksuar më parë janë Flamurtari-Bylis 3-0, e vlefshme për kampionat dhe Kastrioti-Shkumbini po për kampionat e që ka përfunduar me rezultatin 4-2. Në vendimin e komisionit nuk thuhet “trukim”, por “komplotim dhe influencim”. 

Gjithashtu për komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Europian të Futsallit është marrë masa për shkarkimin e trajnerit Alban Neziri dhe të zv.trajnerit Ramazan Konci. Ndërsa është bërë kallëzim penal për trukimin e ndeshjes Shqipëri-Zvicër për të gjithë ekipin kombëtar të futsallit.