TIRANE, 19 shkurt 2013 – Komisioni i Jashtëm do të shqyrtojë nesër në Kryesinë e Kuvendit Rezolutën Çame. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit të Partisë Për Drejtësi dhe Unitet.

Në mesazhin e kësaj partie për mediat theksohet se “nesër në orën 09:00 zhvillohet mbledhja e radhës e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme ku do të nisë diskutimi i Rezolutës për Zgjidhjen e Cështjes Came”. 

Relatorë të Rezolutës janë caktuar Fatbardh Kadilli dhe Qemal Minxhozi. Gjatë muajit dhjetor projekt/rezoluta Çame u depozitua në Kuvend nga Partia për Drejtësi dhe Unitet. 

Në draftin e përbërë nga 13 pika, renditet kërkesa drejtuar qeverisë greke dhe institucioneve shqiptare lidhur me rikthimin e pronave të çamëve në Greqi, si dhe shfuqizimin e ligjit të luftës së vitit 1940 i shpallur me dekret mbretëror, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare.