TIRANE, 28 shkurt 2013 – Komisioni i Ligjeve, ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e 67 deputetëve, për zhvillimin e referendumit për miratimin e 3 ligjeve, kusht për marrjen e statusit kandidat për në BE.
Në mbledhjen ku mungonte opozita, deputetët e Partisë Demokratike në Komision thanë se referendumi duhet cilësuar një akt madhor.
“Kam paraqitur pikërisht sot pranë këtij komisioni, si hapi i parë për ta kaluar më pas në seancë plenare, kërkesën për të thirrur referendumin popullor për miratimin e këtyre 3 akteve.”- deklaroi deputeti Tritan Shehu.
“Besoj se mbledh vullnetin unanim të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve prezent në këtë mbledhje, për të miratuar kërkesën dhe projektvendimin që e shoqëron atë dhe për t’i kërkuar kuvendit që ta miratojë në seancën e ditës së hënë.”- u shpreh kryetari i Komisionit, Ilir Rusmajli.
Ndërkaq, në emër të opozitës, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj sqaroi mungesën e opozitës në mbledhje, ndërsa e cilësoi këtë një shkelje të plotë të rregullores. Sipas tij, referendumi nuk mund të zhvillohet këtë vit.
“Për shkak të mënyrës se si u organizua kjo mbledhje, në shkelje të rregullores së Kuvendit, brenda ditës së sotme me materiale të papërgatitura ende dhe kryesorja në momentin kur ne ishim në seancë plenare. Nuk mund të zhvillohet referendum brenda këtij viti, konform kushtetutës dhe ligjit për referendume, nuk mund të ketë referendum edhe në thelb, edhe nga pikëpamja formale. Eshtë thjesht një hipokrizi e Sali Berishës.”- u shpreh Xhafaj.
I pari ndër firmëtarët e kërkesës për referendum është kryeministri Berisha, që pasohet nga kryeparlamentarja Topalli dhe mjaft deputetë të Partisë Demokratike. Spikat këtu dhe firma e deputetit të pavarur Kastriot Islami.