Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ka treguar arsyet pse u ngrit Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion. Në fjalën e tij, ai u shpreh se padrejtësisht u përfytyrua si përpjekje për të kontrolluar drejtësinë. 

I ndalur tek puna për integrimin në Bashkimin Evropian, Rama u shpreh se BE nuk negocion me qeverinë, por me shtetin shqiptar, ndërsa renditi edhe institucionet e përfshira në negociata. 

“Dua të flas për nismën e grupit tonë për rezolutën dhe Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen-Sundimin e Ligjit- Antikorrupsionin. Shumë padrejtësisht, u parafytyrua si përpjekje e Partisë Socialiste për të vënë në kontroll drejtësinë. Dua të shtjelloj më gjerë arsyet e mëdha për pse-në e ngritjes së këtij komisioni dhe domosdoshmërinë e një dallge të re reformash, që nuk lidhen vetëm me qeverinë, por edhe me institucionet e pavarura. E gjitha lënda për të kuptuar nismën gjendet në dokumentet e formuluara gjatë, në fund të procesit të diagnostikimit pas hapjes së negociatave, që mundëson leximin të gjendjes së organizmit të shtetit. 

Nisma nisi  me diagnostikimin dhe pasohet me recetat për të kuruar deri në fund atë organizëm, duke mundësuar që përgatitja për anëtarësimin e Shqipërinë në BE të përfundojë me një diagnozë të qartë dhe të suksesshme. Ka qenë një proces që ka zgjatur për 14 muaj dhe janë përfshirë 157 institucione, sepse krijohet ideja e gabuar që negociatat e Shqipërisë me BE janë të qeverisë me BE. Qeveria ka një pjesë të rëndësishme të punës, por BE nuk negocion me qeverinë, por me shtetin shqiptar. 157 institucione janë pjesë e përbërjes së skuadrës që negocion. Janë përfshirë në këtë proces 32 institucione të pavarura. Procesi ka një numër të jashtëzakonshëm takimesh mes palëve dhe janë takime të drejtpërdrejta shpjeguese, koordinuese. 787 prezantime janë bërë nga ana e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve. Janë të nevojshme për të lexuar të gjithë panoramën”,-tha Rama.