Këtë të hënë u zhvillua mbledhja në Komisionin e Shëndetësisë për ligjin e ri të spitaleve.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se modeli i ri do të garantojë efikasitet.

Gjithashtu ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëri të ditura risitë që sjell ligji i ri për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.

“Ligji parashikon risi, duke futur konceptin e ri të modelit të autonomisë spitalore. Një model i cili parashikon të krijojë dy nënmodele: modelin e autonomisë spitalore menaxheriale dhe modelin e autonomisë spitalore financiare, nëpërmjet një instrumenti që e kemi quajtur “kartën e autonomisë spitalore”. Kjo do të bëjë të mundur që spitalet, të cilat janë të përgatitura me burimet njerëzore, të administrojnë në një tjetër nivel qoftë buxhetet e alokuara por edhe të kenë mundësi të krijojnë mënyra të reja për të vetëfinancuar spitalet, nëpërmjet marrëveshjeve me të tretët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se një tjetër risi e ligjit të ri ka të bëjë me praktikat dyfishe, e cila parashikon që mjekët e spitaleve publike të munden që përtej normave dhe kohës së punës, të ushtrojnë në mënyrë private profesionin e tyre.

“Kjo do të sjellë që ne t’i kemi mjekët më shumë brenda spitaleve tona për t’u kujdesur shumë më shumë për pacientët, edhe përtej kohës së punës. Do të krijojë për pacientët që duan të kenë konsulta ambulatore jashtë sistemit të referimit, një akses më të drejtpërdrejtë në shërbime. Dhe sigurisht kjo bazuar në kosto dhe tarifa të miratuara, sipas të metodologjive që parashikon ligji dhe që ne jemi duke i punuar në vijim të akteve nënligjore që do të dalin menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit të ri për kujdesin spitalor”, tha Manastirliu.

Duke ritheksuar që modeli i ri i autonomisë spitalore do të pilotohet fillimisht në Spitalin Memorial Fier, Manastirliu tha se do të ketë një planifikim kombëtar spitalor.

“E rëndësishme për të theksuar është se do të kryhet planifikimi kombëtar spitalor dhe planet rajonale. Gjithashtu vijmë me një koncept të ri të mënyrës se si do të organizojmë spitalet. Deri sot kemi pasur vetëm spitalet bashkiake, spitalet rajonale dhe spitalet terciare. Por tashmë vijmë dhe me koncepte të reja sikurse është spitali ditor dhe gjithashtu spitalet mbi baza rajoni, pra spitale që i shërbejnë jo vetëm qarkut, por gjithë rajonit”, tha Manastirliu.

Me projektligjin e ri “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, spitalet do të kenë autonomi menaxheriale, sa i takon administrimit, organizimit dhe aspektit rregullator si dhe autonomi financiare, që do të thotë që do të jenë institucione që vetëfinancohen, duke përdorur jo vetëm burimet nga buxheti i shtetit, por edhe burime të tjera të ligjshme.

Një risi e këtij projektligji të ri është planifikimi spitalor në nivel kombëtar. Për këtë, është parashikuar ngritja e një organi kolegjial ad hoc, një organ këshillimor për politikat dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor, që do të hartojë planin kombëtar spitalor. Autonomia spitalore do të mundësojë edhe pagesat e diferencuara për mjekët në bazë të performancës dhe shërbimit të ofruar për qytetarët si dhe do të lejojë praktikat e dyfishta të mjekëve, që do të thotë edhe mundësi për të shfrytëzuar mjediset spitalore për konsulta apo shërbime përtej orarit të punës, për pacientë jashtë sistemit të referimit. Projektligji i ri i hartuar për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, vjen pas 18 vitesh nga ligji i spitaleve që është në fuqi.