Ditën e sotme Komisioni i Sigurisë po zhvillon një seancë dëgjimore me Shërbimin Informativ të Shtetit në lidhje me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare dhe pezullimin e shërbimeve online. Mirëpo kërkesa për ta zhvilluar seancën me dyer të mbyllura për shkak të informacioneve “sekret” dhe “top sekret” u shoqërua me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Oljan Kanushi, zv/drejtor i SHISH: Do t’ju lutesha që të merrni një vendim duke qenë që 100% të çështjeve që trajtohen në funksion të kësaj seance janë të nivelit “sekret” dhe “tepër sekret”. Do t’ju lutesha që të kishim mundësinë ta zhvillonim pa praninë e mediave vetëm në këtë aspekt dhe jo për diçka tjetër.
Ervin Salianji: Një pjesë e mbledhjes së këtij komisioni duhet të jetë e hapur, për të dhënë mesazhin të gjithë bashkë, bashkë me institucionet. Këtë e kam pastaj dhe me institucionet e tjera.
Xhemal Qefalia: Habitem pse duhet të jetë kaq objekt diskutimi nëse duhet të jesh apo jo me certifikatë sigurie. Ka një procedurë parlamentare, por ka edhe eksperienca të tjera ndërkombëtare. Ne nuk jemi han me dy porta që mund të nxjerrim në publik informacione “tepër sekret” dhe “sekret” siç e tha dhe drejtuesi i Shërbimit. Nuk do isha dakord që ne të vazhdojmë sërish. Po kemi për të thënë, të marrim informacione sipas certifikatës së sigurisë që kemi dhe secili deputet është i përgjegjshëm për të bërë atë çka mendon ai publike. Jemi në një situatë në kushte jo normale që të bëjmë publike çdo informacion këtu brenda. Duhet të operoni me vazhdimin e seancës me dyer të mbyllura.
Nasip Naço: Të gjithë deputetët pasi të hidhet në votim dhe nëse vendoset me dyer të mbyllura do të dorëzohen celularët dhe asnjëri nuk do të ketë as celularë këtu brenda. Të jeni mëse të bindur për këtë.
Flamur Noka: Mos humbni durimin.
Nasip Naço: Bëhuni gati të dorëzoni dhe celularët
Flamur Noka: Do ti dorëzojmë të gjitha, le që paratë se paratë i keni rruajtur si qeveri por do dorëzojmë çfarë të kemi. Të gjitha do i dorëzojmë, celularët, këpucët ça të doni ju! Ju i kërkoni deputetëve të dorëzojnë gjithçka.
Nasip Naço: Pse keni frikë nga rregullat? Në momentin që do dalin gazetarët do të dorëzoni të gjithë celularët, ai që do të rrijë brenda.
Flamur Noka: Mirë bëni që kërkoni sepse sot shqiptarët kanë dorëzuar në dorë të hakerave çdo të dhënë të tyre konfidenciale dhe jokonfidenciale, publike dhe private sepse kanë një qeveri e cila vetëm vjedh dhe nuk ruan sistemet.
Në fund, socialistët miratuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura.





