28 janar 2014- Me kërkesë të deputetëve të opozitës për vrasjen e vëllezërve Çollaku në kufi nga policia greke, pak javë më parë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri raportoi sot në Komisionin e Sigurisë parlamentare. Tahiri ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Çollaku, ndërsa ka kërkuar nga politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë.   “Dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata i'u kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta kqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë mjeko-ligjore, pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë”, deklaroi ai.   Në kundërpërgjigje, deputeti i PD, Flamur Noka ka theksuar se duhet të zbardhet e vërteta. “Ngjarja ka një terr informativ. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku. Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke”, u shpreh Noka. Ministri Tahiri ka përgënjeshtruar deputetin Noka, duke theksuar se policia shqiptare ka dhënë versionin e saj zyrtar për ngjarjen. Nga ana tjetër, deputeti demokrat Astrit Patozi, ka theksuar se Tahiri duhet të mendojë dorëheqjen nga posti i ministrit. “Tahiri nuk ka kohë të vijë në komision, pasi është kthyer në një “Star mediash” . A e keni menduar dorëheqjen nga posti apo shkarkimin nga detyra e ministrit?”, iu drejtua Patozi-ministrit.    Ndërkaq, opozita ka ngritur shqetësimin e rritjes së kriminalitetit në vend, referuar shpërthimeve të fundit me tritol. Lidhur me këtë çështje, Tahiri tha se policia po bën maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten dhe se ai ka zhvilluar një takim me kreun e SHISH. Noka dhe Patozi e kritikuan Tahirin, duke e akuzuar se ai nuk e ka idenë sesi drejtohet ai institucion, duke i thënë se bën thjeshtë show dhe sillet si karagjoz, ndërkohë që Shqipëria është kthyer në një "republikë tritoli".