TIRANË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po diskuton pr/vendimin "Për caktimin e njësive administrative ku do të vendosen selitë e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor".
Akti i prezantuar nga juristët e Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore propozon kryesisht njësitë më të mëdha administrative dhe njësitë që janë në qendër të zonës së administrimit zgjedhor, si vendndodhje për krijimin e selive të KZAZ-ve. Ndërsa, për lehtësi të administrimit të procesit janë propozuar dhe disa njësi administrative, të cilat janë jashtë territorit të ZAZ-së përkatëse.
Sipas ekspertëve nga 89 ZAZ që do të funksionojnë në zgjedhjet e reja, 70 prej tyre do të kenë të njëjtën vendndodhje si në zgjedhjet pararendëse, ndërsa 19 prej tyre janë ndryshuar për shkak të rritjes së numrit të votuesve.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesi i Partisë Socialiste pranë KQZ-së, Genci Gjonçaj propozoi që pesë KZAZ-të e qarkut të Fierit ta kishin vendndodhjen në bashkinë Fier.
Nga ana e tij përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti sugjeroi që materiali i propozuar të shikohej me radhë, pasi ai nuk lidhet me përcaktimin e Vendeve të Numërimit të Votave, por me vendndodhjen e selive të KZAZ-ve.
Nenet 93 dhe 94 të kodit zgjedhor përcaktojnë disa nga kriteret që duhet të plotësojnë ambientet për krijimin e KZAZ-ve, si eksperienca e krijuar në vite, përparësitë logjistike, distanca nga qendrat e votimit, transporti rrugor, afërsia me ambientet që plotësojnë kushtet për Vendet e Numërimit të Votave(VNV), etj