Tiranë, 13 maj 2014 – Opozita largohet nga Komisioni Hetimor për trafikun e drogës, drejtuar nga deputetja e PS-së, Ermonela Felaj. Në nisje të mbledhjes, deputeti i PD-së, nënkryetar i këtij komisioni, ka njoftuar se PD ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, pas ngjarjes së Divjakës, duke thënë se ky komision tashmë e ka permbushur misionin e vet.

Sipas Felajt ky komision është kërkuar dhe më pas është votuar dhe ka detyrë të vijoje punën deri në fund.

“Asgje nuk është provuar, e vetmja gjë që është provuar është se ju shpifni”,- tha Felaj.

Ndërkohë që deputetët e opozitës kanë theksuar se Komisioni i ri hetimor duhet të hetojë ‘verifikimin e të dhënave për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët, roli i funksionarëve publikë dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve në vijim të informacioneve zyrtare të përcjella nga strukturat përgjegjëse’

Sipas Bylykbashit, situata në vend është shumë shqetësuese, pasi ai avion që ra në Divjakë është i narkotrafikantëve.

“Ky komision nuk ka më vlerë, nuk mund të vazhdojë më punën”, – tha ai, ndërkohë që jashtë mbledhjes ka thënë për mediat, se opozita e braktisi punën e këtij komisioni, pasi akuzat për të cilat ai u ngrit tashmë janë provuar.

Pasi kërkesa e deputetëve të PD nuk është miratuar, opozita ka braktisur mbledhjen e komisionit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/