Tiranë, 28 prill 2014 – Pa praninë e opozitës shumica nisi punën për reformën administrative territoriale. Komisioni parlamentar i ngritur enkas për të, miratoi programin e punës dhe kriteret e ndarjes së re. Ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi shpjegoi se kriteri bazë e më i rëndësishmi është ai i krijimit të zonave funksionale.
Vazhdimësia territoriale dhe densiteti i popullisë do të jenë dy kritere të tjera me peshë. Referenca do të jetë Censusi i vitit 2011, fort i kritikuar nga socialistët.
Në bazë të kritereve të miratuara, brenda datës 19 maj Qeveria do të paraqitet në Komision me 3 variante dhe deputetët do të zgjedhin ndarjen e re më të përshtatshme.
Ndërsa nga data 20 maj deri më 20 korrik, harta e re do të diskutohet me komunat dhe bashkitë. Qëllimi i mazhorancës është miratimi i reformës në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar, që përfundon në korrik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





