Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u mblodh sot me prezencën e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës për të shqyrtuar dhe miratuar kalendarin e punës për periudhën maj-nëntor 2019.
Komisioni u dakordësua që brenda 31 korrikut të ketë përfunduar dhe miratuar ndryshimet në kuadër të rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it.
Brenda 30 shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit.
Sipas kalendarit, deri më 31 tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike.
Brenda 28 nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor.
Gjithashtu, deputetët u dakordësuan që brenda muajit korrik të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar.





