TIRANË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, ka publikuar që prej datës 3 janar të këtij viti ekstraktin e listës kombëtare të zgjedhësve në versionin e saj elektronik. 

Në faqen e re të hapur shpjegohen procedurat që duhen ndjekur për të kryer një kërkim korrekt, ku mjafton të shkruhet emri, atësia dhe mbiemri i votuesit për t'u shfaqur të dhënat e kërkuara. 

Nëse me këto tre të dhëna nuk arrihet të merret rezultat, atëherë mund të provohet edhe me kërkimin e avancuar në të cilin shtohen detaje, të cilat mund të përdoren për kërkimin, si viti i lindjes dhe njësia e qeverisjes vendore. 

Rezultati i shfaqur përfshin disa të dhëna si datëlindja, adresa e qendrës së votimit, njësia e qeverisjes vendore si dhe kodi shifror, ku ky i fundit është një element i rëndësishëm në procesin e votimit.