Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka hapur këtë të martë debatet për ndryshime të dy ligjeve të reformës në drejtësi, pa pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës. Qëllimi i këtyre amendamenteve është adresimi i problematikave të evidentuara nga organet e drejtësisë dhe forcimi i strukturës së reformës.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë që studentët e Shkollës së Magjistraturës të përfshihen në procesin e vetingut, përmes një investigimi të thelluar të pasurisë. Një tjetër amendament ka të bëjë me vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilat do të jenë anonime, por të qarta për median dhe publikun një kërkesë kjo e Unionit të Gjyqtarëve.
“Back log emergjente. Unioni i Gjyqtarëve propozon shtyrjen e moshës së pensionit për gjyqtarët”, tha Olsi Komici, duke theksuar nevojën për diskutim të mëtejshëm.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e cilësoi këtë propozim si “gjë e mirëpritur për tu diskutuar”.
Ndryshimet e prezantuara synojnë gjithashtu forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, meritokracisë dhe transparencës për stafin akademik të Shkollës së Magjistraturës. Në fokus janë edhe përmirësimet e sistemit të konkurrimit dhe formimit fillestar për këshilltarët dhe ndihmësit ligjor në gjykata dhe prokurori.





