Një kompani australiane thotë se po teston një spraj për hundën, që sipas saj, redukton rrezikun e prekjes nga koronavirusi Covid-19.
Kompania e quajtur “Ena Respiratory” njoftoi se është duke testuar një sprej për hundët që do të përdoret për të forcuar imunitetin e njeriut dhe për të luftuar gripin. Por nga testet laboratorike të bëra mbi kafshët, ka rezultuar se ky spraj ul ndjeshëm edhe mundësinë e infektimit nga koronavirusi në nivele deri në 96%.
Kjo kompani u shpreh se brenda 4 muajve do të testojë këtë spraj te njerëzit, për të parë si do të veprojë në sistemin imunitar.
“Ena Respiratory” ka buxhet 8.24 milionë dollarë për të zhvilluar këtë spraj, ndërsa studimi është udhëhequr nga agjencia qeveritare britanike e Shëndetit Publik.
Koronavirusi Covid-19 ka shkaktuar deri më tani mbi 1 milion të vdekur, ndërsa shumë kompani janë në garë me kohën për të zhvilluar një vaksinë efektive. Australia, por edhe shtete të tjera, kanë porositur doza të vaksinave për popullsinë në rastin më të parë që ato do të aprovohen nga OBSH dhe do të dalin në shitje.