Kompania e transportit ndërkombëtar “Diamant”, e cila operon prej shumë vitesh në Durrës, ka humbur një nga bashkëpunëtorët e saj italianë për shkak të koronavirusit.
Në një njoftim në rrjete sociale Diamant Logistics i shpreh ngushëllimet familjes së Paolo Cherubini-t, i cili e humbi betejën me virusin vdekjeprurës.
“Paolo ka asistuar ne realizimin e mjaft transporteve te renda si gjeneratore e transformatore me peshe mbi 100 ton, kryesisht nga Porti i Durresit per ne fabrika e hidrocentrale te vendit”, shkruan kompania Diamant Logistics, ndërsa ka postuar edhe një video me momente nga puna e Cherubini-t në vendin tonë.
Sipas administratorit të kompanisë, Perikli Goga, 75-vjeçari Paolo humbi jetën brenda pak ditësh nga Covid-19, pasi të premten e javës së kaluar ishte paraqitur vetë në spitalin e Breshias për kurim, por komplikacionet shëndetësore dhe patologjitë nga të cilat vuante ia pamundëruan fitimin e betejës me koronavirusin.





