Modelja Kendall Jenner është gjobitur nga një kompani italiane pasi nuk ka respektuar kushtet e kontratës.
Në një ankesë ligjore të paraqitur në një gjykatë në New York City të hënën, 2 gusht, shtëpia e modës italiane “Liu Jo” akuzon yllin e “Keeping Up With the Kardashians” se ka shkelur kushtet e një kontrate modelimi, duke mos u shfaqur në një nga dy fotosesionet e planifikuara, për të cilat ajo do të paguhej në një total prej 1.5 milion dollarë, plus një tarifë shërbimi prej 20 përqind.
Kendall, e cila ishte modelja më e paguar në botë në vitin 2018 me 22.5 milionë dollarë të ardhura vjetore, sipas Forbes, nuk i ka adresuar akuzat, por stafi i saj doli me një deklaratë duke mohuar pretendimet.
Liu Jo pretendon se ylli mori pjesë në xhirimet e para në korrik të 2019-ës. Marka e njohur i kishte paguar asaj deri në atë moment, 1.35 milionë dollarë. Xhirimi i dytë ishte vendosur të bëhej në Londër në mars 2020, por pandemia i ndaloi udhëtimet.