21 shtator 2014 – Kompania “Rapiscan”, e cila fitoi kontratën konçensionare për skanimin e mallrave në doganë në kohën e qeverisë Berisha, kërkon sot plot 350 milionë euro për t’u larguar “pa zhurmë”. Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se kjo ka qenë kërkesa e vetë kompanisë, pasi është pezulluar në të drejtën e kryerjes së veprimtarisë së saj në doganat shqiptare.   Kjo është një ndër shumat më të mëdha të kërkuara nga një kompani, me të cilën qeveria e vendit tonë ka prishur marrëveshjen e koncesionit. Sakaq, kuptohet që kjo shumë është afërsisht ajo që firma kishte planifikuar për të fituar nga ky koncesion. Me monopolin e skanimit që iu dha vitin e kaluar nga qeveria Berisha kompania do të arkëtonte 39 euro për çdo deklaratë doganore në Republikën e Shqipërisë si në import ashtu dhe eksport. E thënë në mënyrë më të përmbledhur, i gjithë biznesi do të duhej të paguante plot 25 deri në 30 milionë euro në vit për 25 vitet e ardhshme. Gjithsesi, tashmë qeveria është në një fazë negociate, për sa i përket kontratës konçensionare me kompaninë “Rapiscan” për skanimin e mallrave në doganë. Kjo u bë e ditur pak kohë më parë nga vetë drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, gjatë konferencës së prezantimit të Kodit të ri Doganor, të zhvilluar në qytetin e Durrësit.   

Kontrata e jashtëligjshme   

Marrëveshja konçensionare me këtë kompani është nënshkruar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe zgjat për 15 vjet. Por e dyshimtë është parë procedura e konkurrimit dhe e miratimit të ligjit për veprimtarinë e kësaj kompanie. Sipas një vendim i Këshillit të Ministrave të Berishës me nr 755, i datës 2.11.2011 i kishte dhënë edhe një “bonus” prej 8 pikësh “Rapiscan”-it dhe i kishte ngarkuar të shërbente në Shqipëri për skanimin e kontenierëve dhe të automjeteve të tjera në këtë vend. Procedura e përzgjedhjes ka qenë ajo “klasike”: propozim i pakërkuar, sipas nenit 5, pika 3 dhe nenit 23, pika tre, shkronja b) e Ligjit “Për koncensionet”. Pas VKM të miratuar në nëntor 2011, qeveria “Berisha” nuk nxitohet të miratojë ligjin nr 123/2013 “Për miratimin e kontratës së konçensionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Rapiscan”, si konçensionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar në 24 Prill 2013 dhe është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani, në 2 Maj 2013. Kjo është mënyra se si kompania “Rapiscan” ndodhet në Shqipëri, e kërkuar për të skanuar mallrat në doganat e vendit.   

Autoriteti i Konkurrencës   

Autoriteti i Konkurrencës mbetet i bindur në kërkesën e tij drejtuar qeverisë për rishikimin e kontratës së shumëdebatuar të skanimit të kontenierëve. Në një vendim të tij të fundit, AK vendos t’i qëndrojë rekomandimeve të tij drejtuar para pak muajve Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, për rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit. Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka shqyrtuar kërkesën e ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, ka vendosur ta rrëzojë këtë kërkesë, pasi e ka gjetur të pabazuar në ligj. Në relacionin e tij, Autoriteti i Konkurrencës sqaron dhe arsyet e këtij vendimi.