Ndonëse ekonomia duket se po kalon një periudhë të vështirë, sipërmarrjet e huaja që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri po i gëzohen fitimeve më të larta.
Sipas të dhënave nga Bilanci i Pagesave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin, kompanitë e huaja kanë transferuar jashtë 153 milionë euro, shumë që është 8% më e lartë se një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ka qenë kryesisht në formën e pagesave të dividendëve dhe të fitimit të riinvestuar, si pjesë e investimeve direkte në Shqipëri.
Transferimi i fitimeve ka shënuar një rënie të lehtë në tremujorin e tretë, ndërsa në dy tremujorët e mëparshëm ka qenë me rritje.
Në vitin 2014, u konstatua pothuajse një trefishim i shumës që bizneset e huaja transferuan jashtë në formën e pagesave të dividendëve, teksa pritej që në janar 2015 tatimi mbi dividendin të bëhej 15%. Ky përshpejtim i transferimit të fitimeve u përdor dhe nga Ministria e Financave si një argument për të shpjeguar ecurinë e dobët të të hyrave nga tatimi mbi të ardhurat personale gjatë 2015-s. Megjithatë edhe në 2015-n, transferimi i fitimeve ka vijuar me ritme të larta!
Sipas të dhënave të 100 sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve, bankat me kapital të huaj dyfishuan fitimet në 2014-n, duke dhënë efektin kryesor në këtë tendencë.
BKT ishte kompania me fitime para taksave më të mëdha në vend, prej 6 miliardë lekësh, pothuajse dyfishin në raport me 2013-n. Raiffeisen i zgjeroi fitimet nga 4.8 në 5.5 miliardë lekë dhe Intesa SanPaolo nga 1.2 në 2 miliardë lekë. Tendenca pozitive ka vijuar dhe në 2015-n, ku për 9-mujorin fitimi i sistemit bankar është rritur 33% me bazë vjetore).
Ndërsa kompanitë celulare, AMC dhe Vodafone shënuan rënie të fitimeve përkatësisht me 34% dhe 48%, megjithatë ato vijojnë të mbeten ndër shoqëritë që gjenerojnë më shumë fitime në tregun shqiptar (në vlerë absolute fitimet ishin përkatësisht 2.9 dhe 1.8 miliardë lekë).