VLORË,7 dhjetor 2013 – Kompleksi ‘Jon’ tek Uji i Ftohtë do të shpërthehet me eksploziv brenda pak ditësh. INUK ka marrë kompetencat e plota ditën e sotme mbi godinën shumëkatëshe, ndërsa banorët po nxjerrin objektet më të fundit që u ndodhen ende në apartamentet e tyre.
Pranë godinës ndodhen forca të shumta të ushtrisë që po vendosim piketat për eksplozivin që pritet të shpërthejë godinën. Përgatitja për vendosjen e sasisë së eksplozivit mund të shkojë deri në 1 javë pasi sasia e betonit e përdorur për ndërtesën është tepër e madhe.Pritet kompleksi të rrafshohet tërësisht me modelin e shpërthimit të komanduar si në rastin e ndërtesës 7-katëshe që ndodhej buzë Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Sipas vendimit të qeverisë, pronarët do të kompensohen me vlerën e plotë që kanë shpenzuar për banesat, ndërsa shtohet se afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013.





