Nga Gladiola Busulla

Durrës, 12 nëntor 2013- Ndërlikimet e qenies njerëzore dhe të botës shfaqen përmes gërshetimit të emocioneve, ndjesive, perceptimeve, simboleve, mbresave, pa ndonjë lidhje të dukshme logjike mes tyre. Nuk i duhet dhënë rëndësi  apo  përparësi fenomeneve  të jashtme, por brendisë  së individit.

Fenomenet e jashtme janë ndikuese në brendinë e individit. Ato vetëm sa përpiqen që t’i japin formë brendisë ose të provokojnë reagime që e nxjerrin në pah këtë brendi.

Ekzistojnë  mënyra të sjelluri që rrëzojnë shumë mite, tabu  e  konvencione  morale. Ato  shpërfillin  normat  dhe kodin  etik ( të pashkruar) që  zbaton  rëndom shoqëria. Janë pikërisht këto manifestime tunduese të  origjinalitetit,  të narcizizmit, të gjendjeve të caktuara psikike e shpirtërore. Vetëm nën aureolën e lirisë  së plotë të ndërgjegjes, raca  njerëzore  mund të shfaqet në tërë shkëlqimin  dhe zvetënimin  e saj. “ Nuk shpresoj asgjë, nuk kam frikë nga asgjë, jam i lirë”,-thotë N.Kazanzaqis në romanin “Zorba”.

Këto lloj mënyrash të sjelluri mbartin në vetvete njëfarë çmimi që personi i cili i kryen paguan, pasi rrëzimi apo shkelja e konvencioneve morale etj…, shkelin (sipas Witgenstein-it) marrëveshjen (agreement) që komuniteti ka bërë për t’iu përmbajtur këtyre rregullave. Pra, çdo devijim nga normat e sjelljes përbën një veçim nga autori i tyre dhe personi që i bën ato duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Nuk mund të pretendosh se sillesh në origjinalitet e më pas të ndjekësh rregullat e tjera të komunitetit. Kjo do të bënte që personi të jetonte një jetë, me dy a më shumë standarde dhe serioziteti i tij do të vihej në dyshim. Nga ana tjetër, ai nuk do të qëndronte mbi një taban të fortë (safe ground) pasi do të bëhej i cënueshëm dhe do t;i duhej të bënte luftë dhe me atë pjesë të vetvetes që i zbaton rregullat konvencionale. Përsa i përket referimit që i bën Kazanzaqis-it, duhet të kemi parasysh se Zorba është një guerrilas ose një lojtar i klasit të parë. Ai është një revolucionar që thellë në shpirt e di se nuk mund të fitojë i vetëm. Gazetari amerikan është njëfarë Çe Guevara, por që ndryshe nga Zorba nuk do të humbë asgjë. Pra, Zorbës nuk i mbetet tjetër veçse të bëjë rolin e misionarit dhe të përpiqet që të konvertojë mbështetës me të cilët ai do të mund t’ia nisë luftës. Një pyetje tjetër është: Deri në ç’pikë shkon liria e Zorbës? Sepse bota konvencionale dikton rregulla konvencionale. Dhe të jetuarit në një realitet paralel nuk dikton rregullat e këtij realiteti në realitetin burimor!

A mund të jetë vallë njeriu deri në fund vetvetja, vetja e tij e furishme dhe e papërmbajtur? Përgjatë historisë së njerëzimit, liria është shfaqur në imazhe tronditëse. Njeriu i përgjegjshëm karakterizohet nga autocensura dhe arsyeja vetëformuese. Kjo autocensurë kultivohet gradualisht, deri sa  të sendërtohet në atë normalitet që e quajmë  me  përgjegjësi  ndërgjegje.

Po! Njeriu mund të jetë vetvetja. Por do t’i duhej të humbiste alter egon. Autocensura në fjalinë e dytë është një kundërsens pasi çdo lloj censure kufizon lirinë dhe bie në kundërshtim me arsyen vetëformuese ose ndërtuese. Ndërgjegja (në kuptimin shoqëror) nuk është veçse krahasimi i veprimeve me rregullat konvencionale ose sipërore.

Bota  do të ishte krejtësisht e pajetueshme nëse njeriu  do të ndërtonte jetën mbi  urrejtjen. Dashuria është ndjenja që i jep gjithmonë bukuri dhe freski shpirtrave të përzhitur.

Dashuria (fileo, eros, afrodimeni dhe agape) në tre rastet e para ekziston si gabim i binearit dhe në rastin e fundit si vullnet i Hyjnisë, por që nuk mund të aplikohet prej njeriut. Edhe në rastet e para, ajo shfaqet dhe ngrin në një çast apo moment të vetëm dhe më pas njeri mbart ndjesinë e atij çasti.)  

Ajo ekuivalentohet  si një  antitezë e binomit  vdekje – urrejtje. Ndonëse jo gjithmonë, ajo shoqërohet nga një happy  end, por njeh  dhe funde të  dhimbshme e tragjike, përsëri  pasioni  që ajo  përçon, pohon  bindshëm  forcën e saj ripërtëritëse dhe motivuese,  të drejtën  e jetës  dhe Ajo  përçon, pohon  bindshëm  forcën e saj ripërtëritëse dhe motivuese,  të drejtën  e jetës  dhe iluzionin  e lumturisë……

Të drejtën e jetës? Si mundet vallë që jeta të jetë ende jetë kur dashuria nuk plotësohet apo nuk arrin finalen e saj? …“sepse dashuria është e fortë si vdekja” thuhet tek Kënga e Këngëve në Bibël. Nuk mund të ketë dashuri pa finalizim. Edhe pse ajo ekziston qoftë dhe për një moment të vetëm, është finalizimi ai që e ngrin atë në kohë dhe hapësirë.  Mendimi i saj  të sjell ëmbëlsi dhe energji që të ngre nga toka, në kuptimin e drejtpërdrejtë; atëherë është vërtet dashuri. Por, nëse mendja jotë të thotë se ky është një mendim i mirë apo i lumtur, atëherë kjo nuk ka qenë dashuri, por vetëm fantazma ose imazhi i një dashurie të munguar (love to be).