Ka dalë nga intubimi kompozitori i njohur, Limos Dizdari. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar mëngjesin e sotëm kompozitorin e njohur në spital. Ajo ka vlerësuar punë fantastike të mjekëve, të cilët kanë kryer një ndërhyrje të vështirë.

“Jam shumë e emocionuar, sinqerisht keni bërë një punë fantastike. Bravo. Keni vënë edhe muzikën e tij. Mjeshtri Dizdari tashmë është mirë. Jemi rikthyer ashtu të fortë, si dikur. Jam falenderuese, isha e bindur që do t’ja dilnit, falë përkushtimit tuaj, falë profesionalizmit tuaj, patjetër edhe vullnetit të Limosit që nuk i mungon, për t’ja dalë”,– tha Manastirliu.

Ndërkohë mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi” kanë shpjeguar se ndërhyrja ka qenë delikate dhe e kryer ne kushtet e intubimit, ku i janë vendosur 4 stenda kompozitorit të njohur.

“Është bërë një punë fantastike. 4 stenda i vendosën. Dy javë i intubuar dhe gjitha asistimet janë bërë në kushtet e një pacienti të intubuar gjatë gjithë kohës, me hemodinamikë, i janë vendosur 4 stendat. Pasi problematikat ishin jo vetëm pulmonare, goxha të rënda, me një pneumoni të rëndë por edhe me një insuficiencë kardiake, që u desh të stabilizohej falë punës së zgjithë stafit. Ja hapëm si arterie, i vendosëm 4 stenda dhe për fat për dy ditë reagoi mirë”,- shpjeguan mjekët.