30gusht 2015 – Një dëshmi reale për jetën e këngëtares së famshme Parashqevi Simaku pas viteve ’90 është ajo e kompozitorit Agim Krajka. Ai tregon se çfarë ndodhi me Parashqevinë pas emigrimit në Amerikë. Për kompozitorin e famshëm, këngëtaren e rrënoi Hollivudi. “Parashqevia ishte mësuar me famën dhe dashurinë që kishin për të shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe këtu në Amerikë. Por Hollivudi nuk të fal”, tregon ai në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”. Prej ditësh po vazhdon debati pas thënieve të kantautorit Gjergj Leka, i cili vuri në dyshime vetitë artistike të Parashqevi Simakut dhe disa këngëtareve të tjera të para viteve ’90. Por, kompozitori Krajka e përkufizon thjesht Parashqevinë me fjalën: “E mrekullueshme”.

“Vështirë është që t’i vijë Shqipërisë një zë aq i bukur, aq i kontrolluar, e aq emocional, aq sa Parashqevi Simaku. Ka qenë një përjashtim. Parashqevia ishte tmerrësisht mbajtëse emocionale e këngës. Shpeshherë kishte edhe këngë që në thelb nuk kishin aq emocion, por Parashqevia arrinte t’u jepte jetë. Për mua është një nga zërat më të rrallë që ka pasur Shqipëria, për aq sa e kam njohur unë. Deri tani nuk i ka ardhur një zë i tillë vendit tonë, në të ardhmen nuk e di a do t’i vijë…”, shprehet Krajka. Rënia sipas tij erdhi kur Parashqevia donte të shkonte në Hollivud, por Hollivudi nuk e priti siç ëndërronte ajo. “E kam takuar më vonë, por e pashë që ishte zhgënjyer dhe ndihej në faj pse nuk vazhdoi këngën mes radhëve të shqiptarëve, siç vazhduan shumë këngëtare që dhe sot janë të njohura në treg”, thotë kompozitori.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/