TIRANË,29 gusht 2013 -Kompozitori Shpëtim Saraçi do të niset për kurim jashtë shtetit. Pas disa ditësh kurim në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza”, kompozitori që është diagnostikuar me Ishemi Cerebrale do të niset për kurim jashtë vendit.
Në mes të gushtit, kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi ka qenë i shtruar pranë Shërbimit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Mjekët pohuan se Saraçi ka pësuar një ishemi dhe se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.
Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të njohur në vend. Kompozimet e tij mbajnë firmën e disa hiteve më të njohura pas viteve '90-të, kënduar nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Vitet e fundit ai ka qenë drejtor artistik i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Ndërkohë që në 2010-ën, kënga e kompozuar dhe orkestruar prej tij, "Kënga ime", e kënduar nga Aurela Gaçe, prezantoi Shqipërinë në "Eurosong".
Ai është i martuar me këngëtaren Mira Konçi dhe nga martesa e tyre kanë lindur dy fëmijë.
/balkanweb/





