28 mars 2014 – Decentralizimi në Shqipëri ka dështuar. Më shumë se gjysma e komunave nuk kanë kapacitete për të ofruar asnjë shërbim, madje edhe bashkitë kanë probleme serioze në përmbushjen e detyrave të tyre në çështje të veçanta, si rregullimi i territorit. Për këtë arsye, qeveria nuk do të mjaftohet vetëm me një ndarje të re administrative territoriale, por ajo do të shoqërohet me një strategji të re për decentralizimin.

Strategjia do të hartohet në Bashkëpunim me programin e USAID për decentralizimin dhe qeverisjen vendore. Sipas ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, gjysma e 308 komunave në vend nuk janë në gjendje të kryejnë asnjë investim publik dhe 98% e buxhetit të tyre sigurohet nga transferta e pakushtëzuar e qeverisë.

Nga këto, 70 komuna nuk mbledhin qoftë edhe një qindarkë të vetme në taksa. Njësitë vendore që nuk ofrojnë asnjë shërbim i kushtojnë taksapaguesve rreth 25 milionë euro në vit, para që shkojnë të gjitha për paga dhe shpenzime administrative.