Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. 

Sipas Berishës, Balla është i regjistruar në komunikime të shpeshta me bosë kryesorë të organizatave kriminale në Shqipëri dhe jashtë vendit. 

Ai ka ndërhyrë për lirimin e personave që i vunë eksplozivin Lul Kullës, sipas kreut të PD, ku ka marrë në telefon anëtarin e KLP-së, Vatë Staka. 

“Taulant Balla është i regjistruar në komunikime të shpeshta instensive me bosë kryesorë të organizatave kriminale në Shqipëri dhe jashtë vendit. Një rast tjetër që e implikon atë direkt është ndërhyrja e tij direkte për lirimin e personave që i vunë eksplozivin Lul Kullës. 

Taulant Balla ka marrë në telefon anëtarin e KLP-së, Vatë Staka dhe i ka kërkuar të ndërhyjë në Shkodër për lirimin e kriminelëve që i vunë eksplozivin Lulzim Kullës. Dhe Vatë Staka ka zbatuar urdhrin, dhe kriminelët janë lënë të lirë”, tha Berisha.