Shkolla që ajo drejton ka qenë mjaft aktivenë jetën artistiko-kulturore të qytetit të Durrësit përgjatë këtij viti duke sjellë një frymë të re në këtë drejtim dhe duke angazhuar një numër të madh nxënësish dhe mësuesish në një sërë aktivitetesh të larmishme.

Megjithëse e pranon se gjithçka është realizuar falë punës së një stafi të tërë në krye të të gjitha projekteve ka qenë drejtoresha e kësaj shkolle, Nevila Kalaja. Në një intervistë për “Dyrrah” Kalaja thekson se në bazë të çdo marrëdhënieje qoftë me eprorë apo vartës ajo ndjek një parim mjaft të rëndësishëm, respektin e ndërsjelltë, që e konsideron si çelësin e suksesit për një bashkëpunim të frytshëm.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Një grua në karrierë është në ditët e sotme një fenomen mjaft normal do të thoja. E vështirë apo jo varet nga këndvështrimi. Në momentin që arrin të gjesh zgjidhje, mendon se çdo gjë varet nga dëshira dhe këmbëngulja me të cilat i përgjigjesh problemeve dhe çuditërisht zgjidhja vjen krejt natyrshëm. Në lidhje me eprorët apo vartësit meshkuj, edhe pse janë dy pozicione të ndryshme, nisem nga të njëjtat parime: Respekt i ndërsjelltë. Besoj se ky është çelësi i çdo marrëdhënieje. 

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Natyrisht që po. Se sa ka qenë kosto, kjo varet nga vështirësia e objektivave. Sigurisht edhe nga grupi i bashkëpunimit. Zakonisht objektivat që unë i kam vënë vetes kanë qenë të lidhura jo vetëm me mua, por edhe me kolegë ose persona të tjerë. Mjafton të gjesh të njëjtën dëshirë për të arritur objektivin ose të imponosh, sigurisht me mirëkuptim, mënyrën dhe dëshirën për ta arritur këtë objektiv. Gjithsesi ajo që është sakrifikuar për momentin, ka ngelur gjithnjë për një të nesërme dhe patjetër që kam gjetur kohën dhe mënyrën për ta realizuar.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Është i paevitueshëm. Por në momentin që njihet natyra dhe sigurisht këmbëngulja për të shkuar në objektivin e synuar, mendoj se bëhet i kapërcyeshëm. Fillimi është gjithnjë i vështirë.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Ndoshta dhe pak me humor, por ndoshta dhe një fenomen jo pak i njohur dhe i hasur më parë. Nuk e di, por personalisht më ka ndodhur që problemet me vartësit meshkuj të mos dallohen nga ato të vartëseve femra. Nuk flasim për raste të veçanta, kur njerëzit të të dyja kategorive janë të prirur të krijojnë probleme dhe pse jo t`i bëjnë ato tejet të vështira. Kuptohet nuk është e lehtë t`i kalosh, por gjithsesi kalojnë.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Mendoj që gruaja ka një prioritet në mënyrën e të arriturit të qëllimit, në ndryshim me meshkujt, që do të thotë avantazh për një komunikim më të arrirë (në marrëdhëniet publike). Vëmë re që shoqëria jonë është gjithnjë e më e prirur për mirëkuptim dhe sigurisht kjo arrihet jo me forcë. Ndaj dhe mendoj se femra ka më tepër mundësinë e të komunikuarit. Kjo gjë bën që të kërkohet gjithnjë e më tepër në postet drejtuese.