Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka prezantuar sot sondazhin e një agjencie suedeze mbi perceptimin e qytetarëve për punën e Policisë së Shtetit.

Çuçi tha se ky është komunikimi i tij i parë me publikun si ministër i Brendshëm, ndaj është i lumtur që e nis me këtë sondazh, që ka nxjerrë se prej 2013-ës, perceptimi për punën e policisë është “jashtëzakonisht pozitive” sipas tij.

“Një agjenci e pavarur suedeze, një barometër për perceptimin e publikut për punën e policisë. Kisha dëshirën ta paraqisja personalisht, këto rezultate të sondazhit, ndjehem shumë mirë që perceptimi për punën e bërë nga policia nga 2013 deri më sot, është jashtëzakonisht pozitiv.

Sondazhi vjen në një moment specifik se javën e fundit kemi përjetuar një situatë jo të zakonshme nga një rast krejt i veçuar që s’ka lidhje me trajektoren e punës së policisë por nxori në sipërfaqe atë kategori njerëzish apo personazhesh publikë që s’lënë rast pa hedhur baltë mbi punën e policisë dhe qeverisë.

Rezultatet e sondazhit kanë dalë përpara ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë. Policia e shtetit është sot shumë më tepër apolitike, jo e varur, shumë më tepër e besueshme nga publiku për punën që bën, e shef me shumë më tepër respekt punën e policisë, që prej 2013″, tha ministri Çuçi.