TIRANE, 23 shkurt 2013 – 22 vjet pas përmbysjes, zërat e ndrojtur për ringritjen e shtatores së Enver Hoxhës tashmë sa vijnë e shtohen dhe bëhen më të plotë. Ende pa u zbehur atmosfera festive e pushtetit për kremtimin 20 Shkurtit, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, komunistët shqiptarë zyrtarizojnë kërkesën për rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në mes të Tiranës, pikërisht aty ku u rrëzua 22 vite më parë nga Lëvizja e Dhjetorit ’90.

Gazeta “SOT” ka mundur të zbardhë kërkesën e plotë drejtuar Këshillit Bashkiak, në të cilën parashtrohen arsyet se pse ka ardhur koha të rivendoset busti i Enver Hoxhës. Kërkesa mban firmën e kryekomunistit Marko Dajti, ndërsa është protokolluar mesditën e djeshme nga Bashkia e Tiranës. Në kërkesë vlerësohet kontributi i Enver Hoxhës si udhëheqës i lavdishëm i Luftës Nacionalçlirimtare Antifashiste si dhe roli i tij për ndërtimin e venetit, konsolidimin e shtetit dhe ruajtjen e sovranitetit. Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, Marko Dajti, në kërkesën e tij, i kujton kryebashkiakut Basha se u zgjodh në krye të Bashkisë së Tiranës falë votave të komunistëve në zgjedhjet lokale të 8 Majit. Duke marrë parasysh këtë fakt, Dajti shpreson në mirëkuptimin e kryebashkiakut Basha. Ndërkaq, nëse kërkesa nuk do të pranohet, siç ka gjasa të ndodhë, komunistët do të ndjekin një strategji tjetër, atë të referendumit popullor.

Kërkesa e plotë e komunistëve drejtuar Baskisë së Tiranës

Partia e Punës e  Shqipërisë e Riorganizuar
Drejtuar Këshillit Bashkiak të Qytetit Tiranë, z.Njazi Kosovrasti
Për dijeni: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Lulzim Basha

-Ende nën përjetimin e kremtimeve mbarëpopullore të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë  e, sidomos të reflektimeve që sjellin e duhet të sjellin ngjarje të tilla të mëdha, duke besuar në ardhjen e një moment kyç të qetësimit të “dallgëve” emocionale dhe vlerësimit gjakftohtë të disa pikave “të nxehta” të historisë moderne të shtetit e të shoqërisë shqiptare, në emër të Partisë së Punës së Riorganizuar po “guxojmë” t’u paraqesim sot këtë kërkesë:

-Të ngrihet në një nga sheshet e kryeqytetit Shtatorja e Enver Hoxhës, vepra e të cilit është me kaq shumë peshë dhe kaq shumë e mirënjohur, sa mund të na “kurseje” fjalët dhe argumentimet e zgjatura. Mjafton të sjellim në vëmendje faktin që edhe pas 22 vjetësh të egër sharjesh, askush, as edhe “antidiktatorialet” me irracionale, nuk kanë arritur të jenë mbushamendes, të paktën, për një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik mbarëshqiptar, i cili iu sillet me përulësi fakteve dhe vetëm fakteve historike.

-Shtysë e “guximit” në parashtrimin e kësaj kërkese përpara këshilltarëve bashkiakë të qytetit të Tiranës është edhe qëndrimi publik politik i pothuaj të gjitha forcave politike përbërëse të këtij këshilli, të cilat në çdo rast nuk kanë munguar të respektojnë e vlerësojnë jo vetëm sakrificat e gjakun e derdhur në Luftën tonë Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe vlerën e peshën e saj shpëtimtare në fatet e vendit në kuadër të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror, që udhëhiqej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik. Pranimi gjithë mbarësh i vlerave të kësaj lufte nuk mundet më të mos shkojë natyrshëm edhe me vlerësimin e figurave të saj udhëheqëse, në mesin e të cilëve është pikërisht Enver Hoxha ai që shquan me rolin dhe kontributin e tij të pamohueshëm qoftë edhe nga baltosësit më “të talentuar” të historisë sonë.

-Parandiejmë se mund të bëhet një diskutimi i nxehtë i faqeve të historisë 45 vjeçare të pasluftës, ndaj së cilës duhet të kemi kurajon të pranojmë se, përveç mungesës së studimeve e analizave serioze shumëplanëshe, gjithsecili që s’ndjehet i kompleksuar, do të verë re se ka shumë shfaqje të kameleonizmit politik e moral, të cilat nuk është se kanë kaluar pa pasoja në ngjizjen dhe formësimin e proceseve demokratike të shoqërisë shqiptare. Shtatorja e Enver Hoxhës edhe kundrejt “nxehtësisë” së debateve e diskutimeve rreth periudhës komuniste, ne mendojmë se do të ishte se paku një moment reflektimi drejt një ekuilibri real, të sinqertë e të ndershëm të secilit e të gjithë shoqërisë shqiptare me të kaluarën, që në çdo pikë diskutimi nuk mund të jete e askujt apo e vetëm një grupi të caktuar njerëzish. Është e jona, e të gjithë ne, madje edhe e brezave që do të vijnë.

-Zonja dhe zotërinj këshilltarë,

-Mund edhe t’u kemi vënë në “vështirësi” me kërkesën tonë, të cilën ne e vlerësojmë si krejtësisht të natyrshme, por besojmë në sensin tuaj të njohjes e pranimit të drejtësisë historike, e cila pavarësisht vonesave, mohimeve e kundërshtimeve, në asnjë rast nuk ka munguar të vendoset. Presim mirëkuptimin tuaj, aq me tepër po të vlerësojmë faktin se rotacioni politik në bashlinë e kryeqytetit tonë, në zgjedhjet e 8 Majit të vitit 2011, pati kontributin domethënës të mjaft komunistëve të Shqipërisë.

-Me respekt: Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH (Riorganizuar). Marko DAJTI