Një koncert që shenjoi përmbylljen me sukses të sezonit turistik veror, u zhvillua mbrëmë te zona e “Sfinks”-it në shëtitoren e Durrësit.
Koncerti filloi gjatë pasdites, kur disa DJ të ndryshëm performuan rryma muzikore me ritme të përshtatshme për buzë detit, ndërsa një grup valltarësh sollën nëpërmjet dinamikës së tyre traditën me pjesë të zgjedhura të rajonit.
Më pas në skenë u ngjitën duo-ja e kitaristëve Sokol Shehu e Einar Nelku, që luajtën për publikun për rreth një orë këngë të zgjedhura nga repertori botëror dhe ai shqiptar.
Koncerti në pikun e tij vazhdoi me notat e zjarrta të grupit rrok “Kaçinari – Band” që e elektrizoi publikun e sidomos të rinjtë. Për të bërë pjesë të tyren edhe moshat e mesme, ata ftuan publikun të këndonin bashkë me ta, disa hite të vjetra të repertorit shqiptar si ato të Luan Zhegut, Aleksandër Gjokës apo Ardit Gjebreas.
Në fund kantautori Kujtim Prodani e ndezi tërë publikun me këngët e repertorit të tij. Ai zgjodhi ta niste interpretimin e tij me një këngë ndër më të dashurat për qytetarinë durrsake, këngën e marinarit që krijoi një atmosferë fantastike tek të gjithë të pranishmit.
Këtë verë, atmosfera kulturore në Durrës ishte mjaft e ngjeshur me veprimtari që i sollën kënaqësi jo vetëm qytetareve durrsakë, por edhe turistëve të shumtë që zgjodhën këtë qytet për të kaluar pushimet e tyre.