Një mbrëmje plot muzikë dhe ritëm ishte ajo e së martës në sheshin “Liria” të Durrësit.
Për më shumë se një orë, grupi “Balkan Bazar” solli një repertor mjaft të larmishëm, ku kombinoheshin disa nga këngët më të njohura të muzikës shqiptare, me ritmet e muzikës rrok.
Ishte hera e parë që grupi që ka në përbërje të tij një solist shqiptar dhe 7 instrumentistë italianë vinte të përformonte në Shqipëri dhe si stacion të parë kishin zgjedhur pikërisht qytetin e Durrësit.
“Është hera e parë që jemi në Shqipëri, hera e parë dhe në Durrës. Kemi zgjedhur një repertor që merr tradicionin shqiptar, të përpunuar me modernizimin që realizojmë ne. Është një repertor pothuajse ekskluzivisht shqiptar”,- thotë këngëtari i grupit, Wilson Luari, që është njëkohësisht ideatori i krijimit të kësaj bande muzikore..
Për instrumentistët nga vendi fqinjë, përshtatja me ritmet e muzikës tradicionale shqiptare, nuk ka qenë e lehtë, siç e rrëfejnë dhe vetë.
“Kishim vështirësi në fillim të përfshiheshim me ritmet tuaja, që janë komplet ndryshe nga tonat. Këngëtari na dha leksione të rëndësishme që të lidhnim muzikën me fjalët, ritmin, lëvizjet dhe kërcimet karakteristike të muzikës suaj”,– tregon instrumentisti Paolo Caneva.
Qytetarë të shumtë mbushën sheshin ‘Liria” dhe shijuan koncertin, ndërsa nuk munguan edhe rastet kur muzika i përfshiu në ritmet e saj.
Repertori i grupit Balkan Bazar, të krijuar në vitin 2018 përmban më shumë se pesëdhjetë këngë, disa të marra nga folklori ballkanik si dhe krijime origjinale të tyre.
M.B.





