Orkestra etnike e Nanjing-ut ishte ftuar të mbante një koncert në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" në datën 5 mars. Po ndërsa në posterat para pallatit të kulturës artdashësit njoftoheshin se koncerti do të organizohej në orën 18.00, surpriza e parë ishte spostimi i orarit. Kështu spektatorëve dhe gazetarëve të pranishëm iu desh të prisnin edhe një orë tjetër, pasi në broshurat e përgatitura për këtë aktivitet kulturor ishte shkruar e zeza mbi të bardhë ora 19.00. Surpriza e dytë kishte të bënte me faktin e mungesës së përfaqësuesve qoftë nga Ministria e Kulturës apo Ambasada Kineze në Tiranë, organizatorë të këtij koncerti, qoftë dhe nga pushteti qendror dhe lokal në Durrës, që në raste të tilla nuk mungojnë. Në sallë gjendeshin vetëm disa gazetarë, që do ta pasqyronin lajmin dhe disa artdashës dhe kureshtarë të nxitur për të parë e dëgjuar atë çfarë ofronte orkestra kineze.

Kontaktet e largëta që ka publiku shqiptar me kulturën kineze, megjithëse në mesin e viteve '60 dhe fillimet e viteve '70 Kina ishte aleatja jonë e vetme dhe vendi me të cilin Shqipëria komuniste e asaj kohe kishte marrëdhënie të ndërsjellta në të gjitha fushat, do ta justifikonin interesin e artdashësve durrsakë, por jo atë të pushtetarëve. "Bojkoti" i orkestrës etnike të Nanjing-ut vjen vetëm pak javë pas propozimit të kryeministrit Berisha për të përfshirë gjuhën kineze si gjuhë të dytë në programin mësimor. Gjithsesi pavarësisht të mungesës së qëllimshme apo jo të pushtetarëve vendorë, koncerti vijoi normalisht dhe instrumentistët kinezë korrën duartrokitje nga publiku në sallë për virtuozitetin e treguar gjatë interpretimit. Megjithëse muzika dhe instrumentet muzikore kineze kanë thuajse aspak të përbashkëta me muzikën simfonike të orkestrave shqiptare e europiane, ajo që vlen të theksohet është fakti se muzika ka privilegjin të shkrijë kufijtë dhe të bashkojë njerëzit. Të paktën në këtë drejtim instrumentistët kinezë ia arritën qëllimit, pasi përcollën emocion tek publiku me interpretimin e tyre.

Për të ringjallur kujtimet e nostalgjikëve të kohës kur marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin në kulmin e tyre, orkestra kishte përfshirë në programin e saj edhe këngën e njohur dekada më parë "Pekin-Tirana", e përshtatur nga poema e ish-Kryetarit të Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun. Gjithashtu një risi që sillte orkestra kineze për publikun shqiptar ishte përfshirja e të kënduarit nga ana e instrumentistëve të saj. Megjithëse tradicionalisht ata vetëm luajnë në instrumentet muzikore, kënga ishte menduar të futej në program për të përfshirë edhe një element tjetër komunikimi, siç është fjala. E në Durrës, duartrokitjet më të zjarrta të publikun ishin pikërisht për instrumentistët-këngëtarë. Orkestra muzikore tradicionale e provincës Nanking në Kinë kishte përfshirë në axhendën e saj një turne në tre vende të Europës Lindore.

Me nismën e Ministrisë kineze të Kulturës, orkestra kishte programuar të luante në Moldavi, Bosnjë Hercegovinë si edhe në Shqipëri, nga 23 shkurti deri më 9 mars. Ky turne muzikor, kishte si qëllim përhapjen e muzikës dhe kulturës kineze në rajonin e Europës Lindore. Krahas qytetit të Durrësit, orkestra mbajti një koncert edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Orkestra tradicionale e Nanking-ut është themeluar në vitin 1986 dhe sot ajo është një ndër grupet më profesionale në Kinë për ekzekutimin e muzikës tradicionale kineze. Ajo konsiderohet si një nga orkestrat e pakta të muzikës së nivelit të lartë në vendin aziatik dhe ka për mision të përçojë tek publiku muzikën etnike kineze. Ajo organizon koncerte të ndryshme për autoritetet e larta shtetërore vendore dhe përfaqësuesit e huaj që vizitojnë Pekinin.