Muzikë, humor, këngë dhe alegri ishte ajo çfarë shijuan sërish sot nga koncerti i radhës qytetarët nga ballkonet e pallateve në Durrës, por në një lagje tjetër.

Ashtu siç ishte programuar, koncerti u mbajt sot në ora 17.00, në lagjen nr.18, në sheshin para pallateve pas stadiumit “Niko Dovana”, pranë Fushës së Rërës.

Emra të njohur të skenës shqiptare dhe durrsake performuan në hapësirat mes pallateve, duke iu ofruar banorëve një performancë artistike live që riktheu gëzimin tek ata dhe që u shoqërua gjatë të gjithë kohës me duartrokitje, madje shumë qytetarë nuk nguruan të merrnin vallen në ballkonet apo dritaret e tyre.

Të ftuarit e sotëm ishin Enver Qerimaj, Dhimitër Stefa, Kosta Bonshi, Hysni Alushi, Dashamir Mehmeti, Julieta Strefi, Edmond Halili dhe Xhevahir Zeneli.

Ideja origjinale ishte e poetit durrsak Ardi Omeri, i cili gjatë fjalës së mbajtur para banorëve, iu premtoi se së bashku me një grup biznesmenësh do të krijojnë një forum që të ndihmojnë familjet në nevojë duke mos i lënë vetëm në këto ditë të vështira. Omeri thotë që disa banorë të lagjjes nr.18 u ankuan se nuk kishin marrë ndihma ushqimore dhe ishin në gjendje të vështirë, por ende me shprese.

Për t’iu sjellë momente gazmore qytetarëve durrsakë në këto ditë izolimi, nuk do të ishte e mundur realizimi pa suportin e teatrit “Aleksander Moisiu” dhe foninë nga Orges Istrefi. Për mbarëvajtjejn e koncertit asistuan gjatë gjithë shfaqjes forcat e Policisë Bashkiake dhe ato të Rendit.

Një ditë më parë koncerti u bë te lagjja nr.16, ndërsa të dielën (5 prill), pritet të zhvillohet në lagjen nr.1 tek pallatet e reja, rruga “Taulantia”, po në orën 17.00.