Muzika e flautit e dy instrumentisteve të talentuara Majlinda Spiro dhe Xhejsi Kalziqi u fali një tjetër magji Termave Romake të Durrësit, mbrëmjen e së enjtes.

Pas mbylljes disavjeçare, artdashësit u rikthyen në këtë monument të kohëve antike, dëshmi e lashtësisë dhe rëndësisë, që Dyrrahu kishte në shekujt e parë të erës sonë.

Instrumentistet Spiro dhe Kalziqi sollën një repertor të pasur pjesësh muzikore, të kompozitorëve të famshëm C. E. P. Bach, W. A. Mozart dhe S. Mercadante, duke dhuruar përmes tingujve të flautit shumëçka nga magjia që muzika e mirë krijon në çdo ambient, qoftë sallë koncertore, qoftë rrënoja antike.

“Shpresoj që të lidhim artin tonë me trashëgiminë tonë shumë të jashtëzakonshme kulturore, t’i japim publikut një ndjesi shumë të këndshme, të shikojmë me respekt të kaluarën, të reflektojnë dhe gjithashtu të ecin me shpresë për të ardhmen. Muzika ka një veti, që bashkon njerëzit, jep mesazhe pozitive dhe i mbush njerëzit me emocione dhe me shpresë, që të bëhen çdo ditë e më të mirë”,- thotë instrumentistja Majlinda Spiro.

Ndërsa për instrumentisten tjetër Xhejsi Kalziqi, mbrëmja mbart një emocion të veçantë për të për shkak të një elementi shumë domethënës:

“Është një emocion i veçantë për vetë faktin se për herë të parë luajmë me ish-pedagogen time dhe për mua është vërtet një nder dhe fat. Ashtu si vetë tingulli i flautit, ashtu do të gërshetohet me termat antike.”

Përmbi një orë, artdashësit durrsakë por edhe turistë të huaj ndoqën me mjaft interes koncertin “Magjia e flautit” dhe duartrokitën interpretimin virtuoz të dy instrumentistëve.

Termat Romake, të zbuluara rastësisht në vitin 1960, ndodhen në themelet e Qendrës Kulturore Durrës dhe ruajnë rigorozisht stilin romak të kohës, kur u ndërtuan.

M.B.