Një vokal potent dhe magjik, tingull drithërues instrumentesh, zëra ëngjëllorë artistësh të vegjël dhe një amfiteatër i tejmbushur me njerëz.

E tillë ishte mbrëmja e së martës në amfiteatrin 2000-vjeçar, ku sopranoja me famë botërore Inva Mula, instrumentistët e njohur Ekland dhe Redi Hasa dhe kori i fëmijëve Okarina mbajti koncertin me titull “Meloditë e Mesdheut”.

Disa nga hitet më të bukura shqiptare e mesdhetare, të interpretuara me mjaft mjeshtëri dhe virtuozitet nga Mula dhe vëllezërit Hasa, përcollën tek publiku emocione të forta, gjë që u dëshmua nga duartrokitjet e zgjatura pas secilës performancë.

Për sopranon Mula, interpretimi në skenën e amfiteatrit antik mbart një emocion të veçantë, edhe për misticitetin që ky vend transmeton.

Mjaft i emocionuar para shfaqjes ishte edhe njëri nga vëllëzërit instrumentistë, pianisti Ekland Hasa. Për të, ngjitja në skenën e monumentit antik kishte një simbolikë, që shpesh ndodh vetëm një herë në jetë.

Repertori mjaft i përzgjedhur u dha performancave më shumë shkëlqim artistik. Megjithëse koncerti u mbajt në ditët e para të muajit gusht, kur një pjesë mjaft e madhe e qytetarëve largohen me pushime, tejmbushja e amfiteatrit me publik dëshmoi se Durrësi i mirëpret eventet kulturore me nivel të lartë artistik.    

M.B.