Teksa SPAK ka vënë masën e sekuestros mbi kompanitë e koncesioneve të incenetarorëve pasi zbuloi skema të mëdha të mashtrimit dhe abuzimit me fondet publike, të tjera koncesione gërryejnë taksat e shqiptarëve dhe fondet buxhetore që janë burimi kryesor i financimit të tyre. Kompanitë që administrojnë koncesionet po realizojnë norma fitimi jashtë logjikës së tregut dhe normës së përgjithshme të fitimeve që realizohet në vendin tonë.
Shoqëria koncensionare për shërbimin e markimit të karburanteve GFI Albania arriti një normë fitimi 39 % vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Të ardhurat e kompanisë në vitin 2022 ishin 430,3 milionë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 171 milionë lekë, një shumë sa 39 % e të ardhurave. GFI Albania, e cila markon dhe monitoron karburantet i merr të ardhurat nëpërmjet tarifave të transferuara tashmë në çmimin e naftës, të cilat paguhen nga konsumatorët.
Grosistët e hidrokarbureve kanë përllogaritur se vetëm te nafta, konsumatorët paguajnë 2 lekë për litër ose rreth 15 milionë euro në vit që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve.
Sakaq Operatorët e karburanteve vijojnë të paguajnë tarifën e koncesionit të markimit të naftës, pavarësisht se afati për mbylljen e kontratës pritej data 1 gusht 2023.
Importuesit e naftës pohojnë se në rast se nuk paguajnë tarifën e markimit nuk iu mundësohet zhdoganimi i karburanteve.
“Nuk ka një autoritet që të ndjekë se si zbatohet kontrata dhe kjo është akoma më skandal se vetë kontrata”, pohuan drejtues të Shoqatës së Hidrokarbureve.
Shoqata e Hidrokarbureve deklaroi edhe më herët se operatorët e naftës po paguajnë prej muajsh tarifën e koncesionit të markimit në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tyre kontrata ka përfunduar më 26 shkurt 2023 referuar anekseve të saj.
Që kur ka nisu konscensioni janë paguar më shumë se 30 milionë euro tarifa dhe tashmë kur kontrata ka përfunduar qeveria nuk e ka sqaruar pozicionin përfundimtar të vijimësi.
Koncensioni i markimit kishte për qëllimin gjurmimin e tregtisë së karburanteve me qëllim uljen e kontrabandës dhe evazionit. Mirëpo edhe tani që afati i kontratës ka përfunduar qeveria dhe as kompania koncensionare nuk e kanë një raport për ndikimin e koncensionit në këtë drejtim. Nuk ka asnjë analize kosto-përfitim të aktivitetit, teksa është e sigurt se shqiptarët kanë paguar nga xhepat e tyre më shumë se 30 milionë euro për markimin. /Monitor