Nga 1 në 22 korrik 1944, në fshatin e Bretton Woods (New Hampshire, SHBA), u mbajt një konferencë ndërkombëtare për të vendosur rregullat e marrëdhënieve tregtare e financiare midis vendeve kryesore të industrializuara të botës. Marrëveshjet e Bretton Woods qenë shembulli i parë në historinë e botës për një sistem monetar totalisht të planifikuar, i menduar për të qeverisur marrëdhëniet monetare midis shteteve kombëtare të pavarura. Ndërsa akoma nuk ishte shuar konflikti i dytë botëror, u përgatit rithemelimi i sistemit monetar e financiar, duke bashkuar në Bretton Woods 730 delegatë nga 44 vende aleate për Konferencën Monetare e Financiare të Kombeve të Bashkuara (United Nations Monetary and Financial Conference). Pas një debati të ndezur, që zgjati tre javë, delegatët firmosën Marrëveshjet e Bretton Woods. Karakteristikat kryesore të Bretton Woods ishin dy: e para, detyrimi për çdo shtet për të adoptuar një politikë monetare që stabilizon kursin e këmbimit me një vlerë fikse kundrejt dollarit, që bëhej kështu valuta kryesore; e dyta, detyrimi për të ekuilibruar çekuilibrimet e shkaktuara nga pagesat ndërkombëtare, lënë si përgjegjësi Fondit Monetar Ndërkombëtar. Plani krijoi qoftë FMN qoftë Bankën Ndërkombëtare për Ndërtimin dhe Zhvillimin (ndryshe e quajtur Banka Botërore), që u bënë operative në 1946. Në 1947 u firmos më pas GATT (General Agreement on Tariffs and Trade – Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë) me detyrën e liberalizimit të tregtisë ndërkombëtare.
Bazat e Marrëveshjeve
Bazat politike të Marrëveshjeve të Bretton Woods duhen kërkuar në praninë e fortë të shtetit në ekonomi në të gjithë botën e industrializuar dhe në eksperiencat e përbashkëta negative të ardhura nga Depresioni i Madh i viteve '30. Të gjitha qeveritë që firmosën Marrëveshjet ranë dakort mbi faktin se goditja shkaktuar nga kaosi monetar në periudhën midis dy luftrave ishte e mjaftueshme për të kapërcyer divergjencat. Sistemi i planifikuar në Bretton Woods ishte një standart këmbimi ari, i bazuar mbi raporte këmbimi fikse ndërmjet valutave, të gjitha të varura prej dollarit, i cili nga ana e tij ishte i varur prej arit. Marrëveshjet e Bretton Woods nuk parashikonin megjithatë një kontroll korrekt të sasisë së dollarëve të hedhur në treg, duke i lejuar kështu SHBA hedhjen e pakontrolluar të monedhës në qarkullim, fakt ky i kontestuar shumë herë nga Franca dhe Gjermania, ndërkohë që SHBA eksportonin inflacionin e tyre, duke varfëruar kështu pjesën tjetër të botës.
Fundi i Marrëveshjeve
Deri në fillimin e viteve '70, sistemi ishte efikas në kontrollin e konflikteve ekonomike dhe në realizimin e objektivave të përbashkëta të shteteve, por lufta e Vietnamit, që bëri të rriteshin shumë shpenzimet publike amerikane, çoi në krizë sistemin: përballë hedhjes në treg të dollarëve dhe hyrjes në borxh në rritje të SHBA, rriteshin kërkesat për këmbim të rezervave në ar. E gjithë kjo shtyu presidentin amerikan Richard Nixon të deklaronte ndalimin e këmbimit të dollarit në ar, më 15 gusht 1971, në Camp David. Rezervat amerikane ishin duke rënë rrezikshëm: Thesari i SHBA ishte zbrazur me 90.000 ton ar. Në dhjetor të 1971, Grupi i Dhjeçes firmosi marrëveshjen “Smithsonian Agreement”, që i dha fund Marrëveshjeve të Bretton Woods, duke zhvleftësuar dollarin dhe duke i dhënë nisje fleksibilitetit të kurseve të këmbimit. Standarti i arit u zëvendësua kështu nga një “jo-sistem” këmbimesh fleksibël. Pastaj, mos ekzistenca e një sistemi monetar ka qenë “zbutur” nga futja e Sistemit Monetar Europian (1979) dhe nga shpikja e euros (1999). Institucionet e krijuara nga Bretton Woods mbijetuan pas rënies së standartit të arit: FMN dhe Banka Botërore janë akoma sot në aktivitet, ndërsa GATT u zëvendësua në 1995 nga WTO (World Trade Organization – Organizata Botërore e Tregtisë).