Kancelari gjerman, Friedrich Merz hapi Konferencën e Sigurisë në Mynih me një vlerësim të rreptë të situatës ndërkombëtare, duke deklaruar se ndryshe nga motoja e ngjarjes së këtij viti, rendi botëror nuk është nën shkatërrim, por nuk ekziston më.

Në deklaratën e tij hyrëse, Merz argumentoi se ngjarjet e fundit shënojnë fundin e asaj që ai e quajti ‘pushim i gjatë i Evropës nga historia botërore’, duke theksuar se kontinenti po rihyn në një epokë të konfrontimit të ashpër gjeopolitik, balancave të fuqisë dhe konflikteve.

Kancelari gjerman theksoi se rikthimi i politikës së fuqive të mëdha është korniza kryesore për politikëbërjen evropiane, me theks në parandalimin, rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe konkurrencën gjeopolitike.

“Qëllimi ynë kryesor si evropianë dhe si gjermanë është ta pranojmë këtë realitet të ri sot. Kjo nuk do të thotë se ne e pranojmë atë si fatin tonë të pashmangshëm.” tha ai.

Mediat shkruajnë se Merz nënvizoi se Evropa nuk po arrin të përkthejë peshën e saj ekonomike në ndikim gjeopolitik. Siç vuri në dukje ai, PBB-ja e Rusisë arrin në rreth 2 trilion euro, ndërsa ekonomia e Bashkimit Evropian është pothuajse dhjetë herë më e madhe. 

Kancelari gjermane foli edhe për luftën në Ukrainë, duke thënë se Rusia nuk tregon gatishmëri për negociata serioze paqeje dhe do t’i japë fund asaj vetëm kur të jetë e shteruar ushtarakisht dhe ekonomikisht. 

Në fjalën e tij, Merz zbuloi se ka diskutuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron mundësinë e një parandalimi bërthamor evropian.

 “Diskutova me Emmanuel Macron për një parandalim bërthamor evropian”, tha ai, duke prekur një nga çështjet më të ndjeshme të arkitekturës evropiane të sigurisë.

Mesazh për Pekinin përpara një vizite

Deklaratat e Merz përshkruajnë gjithashtu qëndrimin që ai pritet të mbajë gjatë vizitës së tij të parë në Kinë si kancelar, më vonë këtë muaj. Pavarësisht se pranoi fuqinë në rritje të Pekinit, ai e bëri të qartë se realiteti i ri gjeopolitik nuk do ta çojë Berlinin “në krahët” e Kinës.

Siç vuri në dukje ai, Pekini përdor sistematikisht varësitë e vendeve të tjera në avantazhin e tij. Ai kujtoi se industria gjermane e automobilave ishte pothuajse në një ngërç vitin e kaluar kur Kina vendosi kufizime në eksportet e magneteve të tokës së rrallë, të cilat përdoren në komponentë kritikë në të gjithë zinxhirin e vlerës.

Kancelari pritet të ngrejë çështjen e kufizimeve të eksportit si një pikë kyçe fërkimi në bisedimet e tij me udhëheqjen kineze, duke kërkuar rregulla më të qarta dhe parashikueshmëri më të madhe në marrëdhëniet tregtare.