BE-ja tashmë e sheh pa mëdyshje zgjerimin e saj si një domosdoshmëri gjeopolitike, dhe shtrirja e NATO-s po kështu, është përsëri në agjendë: Ky është një nga konkluzionet e Raportit të Sigurisë së Mynihut 2024, i publikuar përpara Konferencës së 60-të vjetore të Sigurisë së Mynihut, e cila zhvillohet nga data 16 deri në 18 shkurt.
Sipas raportit, pushtimi i Rusisë në Ukrainë i detyroi europianët ta pranojnë rëndësinë e zgjerimit si një “investim gjeostrategjik”. “Lëvizja e vendeve nga zona gri papritmas u kthye në prioritet”, nënvizon raporti. Ai kujton sesi BE-ja i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit dhe celi negociatat e pranimit me ta në një kohë rekord, e po kështu, i shtriu dorën edhe Gjeorgjisë.
Ata gjithashtu nuk pajtohen mbi nevojën për reformimin e BE-së përpara zgjerimit. Mbështetja publike për zgjerimin nuk mund të merret si e mirëqenë për një kohë të pacaktuar me debatet mbi kostot e integrimit të Ukrainës që shpalosen, thuhet në raportin ku analizohet më shkurtimisht, edhe situata në Ballkanin Perëndimor. “Progresi i vogël në rrugën drejt anëtarësimit në BE e ka mbajtur hapur derën e ndikimit dashakeq rus në rajon, veçanërisht në Serbi, si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Serbia jo vetëm që varet nga Rusia për furnizimin e saj me energji, por Rusia gjithashtu mund të përdorë lidhjet e saj historike me popullsinë serbe, lidhjet me grupet paraushtarake dhe të krimit të organizuar dhe depërtimin në mjedisin e informacionit. Këta faktorë ndihmojnë për të shpjeguar pse mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Serbi është më e ulëta në rajon”, thuhet aty.
BE-ja duhet të konkretizojë nocionin e pranimit të shkallëzuar dhe të shpërblejë progresin e reformës me akses gradual në institucionet dhe politikat e saj, rekomandon raporti, sipas të cilit aleatët e NATO-s duhet, kur është e nevojshme, të zgjasin garancitë dypalëshe të sigurisë në fazën e ndërmjetme deri në pranim. Një sondazh i opinionit i porositur nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut tregon se 79% e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, ndërsa 84% e tyre mbështesin anëtarësimin në BE.
Për më tepër, 75% besojnë se BE-ja duhet të përshpejtojë aplikimin e Ukrainës për anëtarësim. Megjithatë, pavarësisht angazhimeve verbale për ta larguar Europën Lindore nga zona gri, është e paqartë se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe nëse partnerët transatlantikë janë të gatshëm të paguajnë çmimin.
“Mbi të gjitha, anëtarët e BE-së dhe NATO-s duhet të dyfishojnë mbështetjen e tyre financiare dhe ushtarake për Ukrainën, sepse një fitore ruse do të ishte katastrofike jo vetëm për Ukrainën – një Rusi e ngurtësuar nga beteja me një ekonomi në baza lufte do të riarmatosej shpejt dhe do të kërkonte viktimen e radhës”, përfundon raporti.