Këtë të enjte, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën e 17-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, që po mbahet në Durrës, me fokus angazhimin e rinisë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti Begaj, adresoi mesazhet e tij në këtë konferencë që bëri bashkë Shefat e Shtabeve të Përgjithshme të Forcave të Armatosura të vendeve të Ballkanit dhe përfaqësues të lartë nga NATO dhe BE.
Në fillim të fjalës së tij, Presidenti theksoi se kjo konferencë është një instrument i rëndësishëm për të promovuar bashkëpunimin dhe kontribuuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Presidenti shprehu besimin se angazhimi i të rinjve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, nxitja e përfshirjes së tyre, nxitja e inovacionit, trajtimi i sfidave të rekrutimit dhe qëndrimit në Forcat e Armatosura janë garanci për një të ardhme të sigurt të rajonit tonë.
Duke përgëzuar pjesëmarrjen e Sllovenisë dhe Kroacisë në këtë forum, Presidenti i Republikës theksoi se ky forum do të ishte akoma më i plotë me pjesëmarrjen e Kosovës.
“Gjej rastin të përshëndes vendimin e Asamblesë së NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës si anëtare të asociuar, si një hap drejt një rajoni më të sigurt dhe më evropian.
E kam theksuar dhe do të vijoj ta theksoj se anëtarësimi i Kosovës në iniciativa dhe organizata ndërkombëtare politike dhe të sigurisë në rajon, por edhe globale, si Karta e Adriatikut A5, do të jetë vlerë e shtuar dhe kontribut i jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë”, ritheksoi Presidenti Begaj.