20 nëntor 2015 – Në spitalin e Durrësit në sallën e telemedicinës, është mbajtur konferenca e 7-të mediko-kirurgjikale me lektorë nga vendet që lag Adriatiku, spitali i Durrësit e i Traumës në Tiranë. Konferenca u mbajt në kuadër të projektit IPA, me mbështetjen e AdriHealth Mob, duke trajtuar temat e ofrimit të teknikave më të mira kirurgjikale që përdoren nga mjekët italianë. Drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit Artiola Frashëri, deklaroi se qëllimi i konferencës është dhënia e shërbimit shëndetësor cilësor për të gjithë pacientët.
Lektorët sollën praktikat më të mira për sa i përket trajtimit të sëmundjeve kryesisht atyre kancerogjene, ekzaminimit të tyre në kohë të shpejtë, por me efikasitet u konsiderua shkëmbimi i eksperiencave me mjekët italianë.
Po kështu, shumë i suksesshëm u konsiderua edhe projekti i pritjes së udhëtarëve në portin e Durrësit, projekt i BE-së. Për këtë, prej sezonit veror është hapur një qendër në terminalin e trageteve për të gjithë udhëtarët. 60 prej tyre të mbërritur në port, i janë nënshtruar ndërhyrjeve duke e konsideruar hapjen e kësaj qendre shumë të suksesshme.
Spitali terciar i Durrësit numëron rreth 4 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, rreth 11 në ditë.
/K.H. portali DurresLajm/