Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se sot u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë e Selanikut, në të cilën morën pjesë të gjithë ministrat e jashtëm të rajonit, disa vendeve anëtare të BE dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian.
Lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë video-konferencë, Cakaj shkruan në Facebook se diskutimet u përqendruan tek bashkërendimi i veprimeve në procesin e rihapjes graduale të kufijve, rimëkëmbjes ekonomike dhe përpjekjeve të përbashkëta për të frenuar përhapjen e COVID-19.
POSTIMI I PLOTË
Sot u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë e Selanikut me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave të jashtëm të rajonit, disa vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesëve të lartë të Komisionit Evropian.
Zhvilluam një bisedë shumë të vyer për të bashkërenduar veprimet tona në procesin e rihapjes graduale të kufijve, rimëkëmbjes ekonomike dhe përpjekjeve të përbashkëta për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Të gjithë njëzëri u pajtuam për të shtuar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, agrikulturës, turizmit, transportit dhe ndërlidhjes.
Bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me BE-në janë themelorë në luftën e përbashkët kundër pandemisë.





