26 gusht 2013- Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama  në hapje të konferencës “Shqipëria e gjeneratës së re” tha se vendi sot është në kushtet e një emergjence kombëtare, ndaj dhe ne do ta trajtojmë situatën si një gjendje të jashtëzakonshme.

“Ne sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare. Ne jemi të vendosur që gjendjen ta trajtojmë si një gjendje të jashtëzakonshme, dhe ta trajtojmë me të gjitha mjetet e gjendjes së jashtëzakonshme.”- tha Rama në fjalën e tij.Prej kohësh, theksoi kryesocialisti, kemi konstatuar që modeli i ndjekur në të gjithë këto vite ka shterruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonominë e vendit.Sfidat tona, shtoi ai,  janë të shumta, por në fokusin e këtij debati do të jetë, territori dhe ekonomia.“Ne besojmë që deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, pafuqie për të implememtuar edhe çka ka mundur të planifikojë, apo çka ka mundur të ligjërojë.”- theksoi kreu i PS-së.Nga sot ne hyjmë në një rrugë tjetër, në rrugën e asaj alternative që ne kemi propozuar dhe jemi votuar masivisht nga shqiptarët. Për një ndryshim, që për nga nevoja e brendshme, është e krahasuar vetëm me ndryshimin e vitit 1992, përfundoi Rama.

****

Partia Socialiste ka ftuar 50 arkitektë dhe urbanistë të njohur nga e gjithë bota në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria e gjeneratës së re”, që do të zhvillohet në datat 26 dhe 27 gusht. Të ftuarit janë njohur me problematikën e zhvillimit urban në Shqipëri gjatë një tryeze të rrumbullakët dje paradite në hotel “Sheraton”, të drejtuar nga Artan Lame, Auron Tare dhe Artan Shkreli, e më pas përmes një turi janë njohur me disa nga monumentet kyçe të trashëgimisë kulturore në Tiranë dhe Durrës. “Një Konferencë për territorin dhe ekonominë; një hapësirë diskutimi me arkitektë, urbanistë, artistë dhe ekonomistë, financierë, menaxherë, ku do të ballafaqojmë ide, do të marrim opinione, sugjerime”, e ka komentuar Rama.

/panorama/