TIRANE- Konfindustria vlerëson si hap pozitiv përpara vendimin e fundit të Qeverisë së Shqipërisë për përjashtimin nga pagesa e TVSH për makineritë e pajisjet për investimet, që janë mbi 50 milion lekë dhe që i shtohet vendimit të njëjtë për përjashtimin nga pagesa e TVSh për makineritë, pajisjet, lëndë të para, etj., që përdoren për ndërtimin e HEC-ve.
Por Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë i kërkon ekzekutivit që pragu i shtrirjes së zbatimit të vendimit të fundit të ulet deri në vlerën prej 15 milion leke të vlerës së investimit.
“Arsyeja e kërkesës për uljen e pragut të përjashtimit nga pagesa e TVSH për makineritë dhe pajisjet vjen nga fakti, se tashmë kur ekonomia shqiptare po vuan rëndë pasojat e krizës është domosdoshmëri thithja e investimeve sidomos të huaja si mjet i rëndësishëm për përballimin e gjendjes së vështirë. Ulja e rendimentit fiskal për 10 mujorin e parë të vitit 2012 me mbi 160 milion $ me pak të ardhura për buxhetin e shtetit flet qartë për gjendjen e vështirë të ekonomisë shqiptare”, thotë Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
Konfindustria vlerëson, se në kushtet e mësipërme ulja e pragut të heqjes së TVSH për makineritë dhe pajisjet do të ishte një mjet tjeter nxitës për investimet e vendit dhe të huaja por edhe për nxitjen e investimeve të reja në vlera të pranueshme, shmangien e evazionit fiskal të mundshëm dhe sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit.
“Aq me shume është e vështirë sa më sipër kur është e nevojshme, që të nxiten për të investuar në atdhe sidomos emigrantet tanë, që janë në Greqi dhe që personalisht nuk zotërojnë sasi të mëdha kapitali, por janë në numër të madh dhe në tërësi mund të përbëjnë një fluks të rëndësishëm investimesh. Në shumice emigrantet e ardhur nga Greqia jane te prirur te investojne ne sherbime dhe bujqesi, qe praktikisht i takon biznesit te mesem dhe vogel”, përfundon Buxhuku.