Konfindustria i kërkon vendimarrjes politike shqiptare përfshi opozitën, Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë, të marrin sa më shpejt masat e nevojshme për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të cmimit të karburanteve. Rritja e cmimeve të karburanteve rrezikon të marri përmasat e një krize të vërtetë energjitike në vitin 2021-2022 me pasoja të pallogaritshme negative për vendin.

Konfindustria ka përgatitur paketën e plotë të propozimeve të saj institucionale, fiskale dhe ekonomike  lidhur me ndërhyrjet e domosdoshme, që duhen bërë në tregun e karburanteve për të  zbutur pasojat e rritjes së cmimeve në tregjet ndërkombëtare.  Konfindustria do të paraqesë institucionalisht para vendimarrjes politike, të shumicës dhe pakicës në Kuvendin e Shqipërisë, paketën e kërkesave për përmirësimin e ndërtimit dhe funksionimit të sotëm të tregut të karburanteve. Në mungesë të marrjes së veprimeve të shpejta dhe profesionale nga institucionet shtetërore biznesi, qytetarët dhe ekonomia kombëtare do të përballet me kosto shtesë nga rritja e cmimeve të importuara nga tregjet ndërkombëtare.

Konfindustria shpreh shqetësimin për mungesën e plotë të deritashme të përgjegjësisë së institucioneve shtetërore lidhur me rritjen e fortë të cmimeve të karburanteve dhe pasojave shkatërruese të tyre në biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare.

Tregu i karburanteve në Shqipëri karakterizohet nga grupimet kartel dhe oligopol, që fillojnë nga shërbimet portuale, tregëtia me shumicë dhe pakicë. Biznesi, qytetarët dhe buxheti i shtetit shqiptar, përvec rritjes së fortë të cmimit të publikuar përballen më kosto shtesë të fshehura mjaft të larta si pasojë e cilësisë së dobët të karburanteve, evazionit fiskal dhe kostove të pranisë së koncesioneve dhe PPP në sistem. Pasojave të rënda në mjedis dhe shëndetin e popullsisë. Ministria përkatëse, agjencitë qeveritare të kontrollit të cilesisë dhe rregullatorët e sotëm të tregut, kanë dështuar krejtësisht në zbatimin e detyrave ligjore përkundrejt tregut të karburanteve.

Cmimet e karburanteve në tregun shqiptar gjatë sezonit veror dhe në vazhdim në muajin shtator 2021 janë rritur në vlera, që shkojnë mbi 60% per gazin e lëngshëm dhe më shumë se 10% per naftën dhe benzinën. Cmimet e karburanteve në Shqipëri janë ndër më të lartat në gjithë Europën, përfshi edhe vëndet shumë më të pasura të kontinentit. Tregu i karburanteve është më i madhi në vend mbi 10% të PPB dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, industrive, biznesit, prodhimit vendor dhe qytetarëve shqiptarë.